5 tetor 2018

 

Zëvendëskryetarja e Kuvendit, znj. Vasilika Hysi, priti në një takim zyrtar z.Lorant Balla, ambasador i  Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Hungarisë, i akredituar në Shqipëri. Gjatë takimit palët vlerësuan marrëdhëniet e mira midis dy vendeve.

Znj Hysi, në emër të Kuvendit, vlerësoi angazhimin dhe mbështetjen e Hungarisë për të ardhmen evropiane të Shqipërisë si edhe mbështetjen që Hungaria i ka dhënë Kosovës në Konferencën e Përgjithshme në UNESCO. Gjithashtu, znj. Hysi u shpreh se në rrugën drejt pranimit të BE Shqipëria mbështet vlerësimin sipas meritave, ritmit të reformave dhe qëndrueshmërisë në përmbushjen e angazhimeve.

Në planin ekonomik u diskutua se marrëdhëniet midis dy shteteve janë në rritje, bazuar në forcimin e bashkëpunimit në fushën e turizmit, në atë të bujqësisë dhe industrisë ushqimore, mjedisit etj.

Me rëndësi në diskutim ishte reforma në drejtësi, ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë dhe reforma zgjedhore.

Temë e diskutimit ishte dhe arsimi, mbështetja e studentëve si edhe bursat e ofruara për ta.

Roli i “Grupit të Miqësisë Shqipëri-Hungari” u vlerësua në mënyrë të veçantë, ku u evidentua forcimi i marrëdhënieve dhe bashkëpunimi mes dy vendeve.

 

Së fundmi, z. Balla dhe znj. Hysi u shprehën optimiste për vazhdimin pozitiv të marrëdhënieve dypalëshe Hungari-Shqipëri ku në funksion të njëra tjetrës të kenë zhvillime të vazhdueshme dhe të rëndësishme më tej.